Rriten pagat e pedagogëve, vazhdon greva e studentëve – (31 Mars 2001)


Rriten pagat e pedagogëve, vazhdon greva e studentëve – (31 Mars 2001)

15:10 31/03/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Dy mijë pedagog të shollave të larta në të gjithë vendin tonë, sipas vendimit të fundit të qeverisë, kanë përfituar rritje të pagave. Rreth 1 milion dollarë do t’i shtohen 5 kategorive të pedagogëve, me një rritje nga 45-58% të pagës mesatare. Kështu ka deklaruar sot në një konferencë shtypi Ministri i Arsimit Et’hem Ruka, zv/ministri i Arsimit Vaso Qano dhe drejtori i shtypit dhe informacionit pranë kryeministrisë Thoma Gëllçi.

Sipas Ministrit të Arsimit Ruka, rritja e pagave të pedagogëve erdhi si pasojë e motivimit të profesoratit të shkollave të larta, si edhe për parandalimin e emigrimit të trurit në sistemin arsimor. Në 10 vitet e fundit rreth 1030 pedagogë, janë larguar nga vendi ynë drejt shteteve të tjera. Kjo rritje e pagave plotëson edhe një nga kërkesat të Unionit Studentor, të cilët që nga dita e djeshme janë në një grevë të përgjithshme. Përsa u përket kërkesave të tjera që ky union i ka parashtruar qeverisë, Ministri i Arsimit Ruka u shpreh, se ne jemi të hapur për dialog.

Et’hem Ruka, Ministri i Arsimit:- “Kjo është një grevë e pjesshme, e megjithatë ajo duhet vlerësuar, për shqetësimet që ngrenë studentët. Shqetësime të cilat ne i kemi marrë, po i analizojmë dhe reagimi i ministrisë nuk është një reagim negativ është në kuadrin e dialogut me studentët të gjejmë zgjidhje të pëlqyeshme dhe të mundshme”./tvklan.al






Të ngjashme