Rritet bilanci i viktimave nga zjarret në Greqi


Rritet bilanci i viktimave nga zjarret në Greqi

10:54 25/07/2018

Autoritetet greke njoftojnë se bilanci i viktimave të shkaktuara nga zjarret masive të ditëve të fundit në Greqi është rritur në 80 të vdekur.

Zëdhënësi i zjarrfikësve Stavroula Malliri tha të mërkurën se ekipet e kërkim shpëtimit po vazhdonin operacionet e tyre në verilindje të Athinës, ku janë edhe rajonet më të prekura nga zjarret. Ai tha se ekipet po kërkonin shtëpi më shtëpi dhe çdo makinë dhe bregdetin e shkrumbuar për të lokalizuar të tjera viktima të mundshme.

Malliri tha se autoritetet kishin marrë dhjetëra telefonata për persona të zhdukur, duke shtuar se disa prej tyre mund të jenë në mesin e atyre që tashmë janë raportuar të vdekur, ose edhe mund të jenë rikthyer tek familjet e tyre pa informuar autoritetet.

Kjo bën që autoritetet të mos kenë një numër ekzakt të personave të humbur. Por ndërkohë shumë familjarë të shqetësuar kanë nisur apelet për ndihmë në rrjetet sociale dhe televizionet greke që të mund të marrin informacion për njerëzit e tyre të dashur.

Teksa të gjithë kërkojnë familjarët e tyre të dashur, media greke i ka dhënë vend edhe dëshmisë së Catherine Hooper, nga qyteti i Bristolit në Angli, por që e viziton rregullisht Greqinë. Hooper tha se qindra persona, në përpjekje për t’u ikur flakëve u drejtuan kah deti, por si pasojë e tymit dhe nxehtësisë së madhe janë detyruar të futen thellë dhe t'i largohen bregut.

Gruaja tha se shumë prej atyre që janë hedhur në det për t’u shpëtuar flakëve janë përballur me dallgët, të cilat disa nuk i kanë përballuar.

“Dallgët i kanë çuar drejt Ishullit të Evias. Kam dëgjuar se atje janë gjetur trupat e 3 grave dhe një fëmijë që ishin mbytur. Ka shumë persona që janë futur në det dhe kanë humbur. Shumë të tjerëve u është dashur të presin deri në katër orë në ujë për t’u shpëtuar

.” /tvklan.al





Të ngjashme