Rritet numri i pickimeve nga gjarpërinjtë
Numri i pickimeve nga gjarpërinjtë po vjen gjithnjë e në rritje, në pjesën më të madhe të shteteve amerikane. Shkaku kryesor, sipas ekspertëve është ngrohja globale, që i ka detyruar zvarranikët që të zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt veriut.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, përllogaritet se 7 deri në 8 mijë persona pickohen nga gjarpërinjtë helmues çdo vit dhe rreth 5 prej tyre vdesin.
Joann Schulte, epidemiologe në Qendrën për Kontrollin e Helmimeve në Teksasin Verior, shpjegoi për CNN se numri i pickimeve nga gjarpërinjtë është rritur me rreth 100 deri në 200 në vit.
Schulte shpjegon se ndër vendet tipike ku gjenden gjarpërinjtë, helmues ose jo, ndodhen në juglindje të vendit, sidomos në Florida, megjithatë kohët e fundit rastet e pickimeve kanë pësuar rritje edhe në Georgia apo Karolina e Veriut.
Gjarpërinjtë vdekjeprurës me zile janë të përqendruar kryesisht në Teksas dhe në perëndim, por kohët e fundit sipas ekspertëve po ndodh një migrim gradual i tyre më tej në veri.
Sipas asaj që shkruan CNN, rritja e numrit të pickimeve nga gjarpërinjtë është diçka e re dhe ende nuk ka të dhëna zyrtare apo studime shkencore për ta përcaktuar këtë saktësisht.
Ekspertët shpjegojnë se dimri i ngrohtë është një tjetër arsye.
“Si gjarpërinjtë ashtu edhe njerëzit shpenzojnë me shumë kohë jashtë, duke bërë që të kenë më shumë shanse për t’u përballur me njëri – tjetrin”,
shpjegon ekspertja Nikole Castleberry.
Deri më tani, sipas saj nuk ka asnjë arsye për të menduar se gjarpërinjtë po bëhen më agresivë.
Nga ana tjetër, densiteti i popullsisë dhe aktiviteti i njerëzve luan një rrol në numrin e pickimeve nga ky zvarranik. Lëvizja e njerëzve në shtëpi të ndërtuara nga zona të largëta me burime ujore apo pyje pranë është një tjetër faktor.
Gjarpërinjtë nuk konsiderohen zvarranikë agresivë. Sipas ekspertëve ata sulmojnë në momentin që ndihen të kërcënuar./tvklan.al