Rritet numri i skuadrave që kërkojnë Sadikun
Ëndrra e tij është Seria A. Edhe Bundesliga gjermane mbetet një pistë prestigjioze që do t’i lejonte të bënte kapërcimin e madh në karrierën e tij.
Por në të ardhmen e Armando Sadikut, një opsion i mundshëm është edhe Liga 1 Franceze. Lajmi bëhet i ditur nga mediat në vend. Sipas tyre, sulmuesi i Kombëtares shqiptare kërkohet edhe nga Nanta.
Klubi francez ku kanë luajtur edhe Lorik Cana e Ermir Lenjani është vënë në lëvizje për të marrë shërbimet e sulmuesit. Ky i fundit mbylli kontratën e huazimit me Vaduzin, ndërsa nuk ka ndërmend të kthehet të luajë me Zyrihun, aq më tepër që skuadra do militojë në kategorinë e dytë të Zvicrës.
Për këtë arsye, Armando Sadiku është në kërkim të një skuadre të re ku të vazhdojë karrierën e tij. Dhe të paktën në zërat e merkatos, futbollisti duket se ka luksin e zgjedhjes. Duke qëndruar në atë që është raportuar në mediat e vendeve të ndryshme për sulmuesin interesohen shumë klube.
Pas Werder Bremen, që doli në skenë që gjatë finaleve të Euro 2016, i fundit në garë janë futur edhe gjermanët e tjerë të Borusias së Mwnshengladbahut.
Po ashtu Beshiktashi qëndron në pritje, ndërsa mediat italiane pak kohë më parë zbuluan edhe përpjekjet e Sampdorias për të transferuar lojtarin. /TV KLAN