Rritet numri i të sëmurëve me kancer në Elbasan – (5 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Elbasani zë vendin e dytë në botë përsa i takon prekshmërisë nga sëmundjet kancerogjene. Pohimi tronditës vjen nga mjekët specialist të repartit të Onkologjisë, në qendrën spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan. Sipas tyre dhe sipas disa studimeve nga institucione mjekësore në perëndim, banorët e zonës së Elbasanit të prekur me kancer në botë, vijnë pas një krahine jo shumë të njohur në Kinë.
Statistikat e repartit të Onkologjisë, në qendrën spitalore, tregojnë se mbi 300 vetë në vit preken nga kjo sëmundje. Sipas specialistit onkolog, Artan Çomo, shkak i numrit të madh të pacientëve të prekur mbetet mosnjohja dhe moskapja në kohë e sëmundjes. Kështu shumica e operacioneve të ndërmarra dalin pa sukses. Moshat më të prekura janë nga 35-55 vjeç.
Një rol të madh në shtimin e numrit të njerëzve të prekur nga kanceri në Elbasan, mendohet se është ndotja e ambientit nga Metalurgjiku. Specialistët onkolog, kanë kërkuar bashkëpunim për të gjetur rrugët, që do të ulnin sadopak ndotjen e ambientit në këtë zonë./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti