Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Greqi
Lajmi në përditësim: Tërmeti i së premtes në detin Egje ka lënë të paktën 30 viktima në Turqi dhe Greqi, ndërsa të plagosurit janë mbi 800. Pa mbushur 24 orë nga momenti i lëkundjeve të forta me magintudë 7 të shkallës Rihter, forcat e kërkim-shpëtimit në qytetin e Izmirit janë duke luftuar me kohën për të nxjerrë sa më shumë të gjallë nga rrënojat e ndërtesave.
Në Turqi kanë humbur jetën të paktën 28 persona ndërsa janë lënduar me qindra të tjerë. 2 persona të tjerë, humbën jetën në Greqi. Bëhet fjalë për 2 adoleshentë të cilët u zunë poshtë një muri në Samos, një ishull pranë brigjeve të Turqisë.
Më shumë se 1 200 punonjës janë përfshirë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Izmir, qytetin e tretë më të madh turk, ku jetojnë 3 milionë banorë. Fotot dhe videot e postuara në mediat sociale treguan se si njerëzit qëndronin në ankth pranë rrënojave në pritje që familjarët e tyre të nxirren nga mbetjet.
Tërmeti i fuqishëm, që sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan (USGS) ishte me magnitudë 7 të Shkallës Rihter, ra në brigjet turke të Egjeut dhe në veri të ishullit grek të Samos, duke shkatërruar një numër të madh banesash.
Lëkundjet e forta shkaktuan edhe një minicunam, që përmbyti Izmirin dhe Samosin.
Sipas USGS, tërmeti që u ndje deri në Athinë e Stamboll, kishte një thellësi prej 10 kilometrash, ndonëse zyrtarët turq thanë se ishte 16 kilometra nëntokë.
Tërmetet në Turqi dhe Greqi janë të zakonshme pasi këto dy shtete shtrihen në kufijtë e dy pllakave tektonike, të Afrikës dhe Euroazisë. /tvklan.al