Rrjedhja e gazit në shkollë, QSUT: Si paraqitet gjendja shëndetësore e fëmijëve


Rrjedhja e gazit në shkollë, QSUT: Si paraqitet gjendja shëndetësore e fëmijëve

12:23 20/01/2021

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka dalë me një njoftim për shtyp pas lajmit se 6 fëmijë u dërguan në spital për ndihmë mjekësore për shkak të një rrjedhje gazi në një shkollë private në Tiranë.

Gjendja e fëmijëve është jashtë rrezikut për jetën, megjithatë ata janë shtruar në pavijon për monitorim. Nxënësit janë të vetëdijshëm dhe paraqesin vetëm shenja të lehta të intoksikimit.  

“Mjeku toksikolog ka kryer konsultën mjekësore dhe ka konstatuar që janë koshiente, paraqesin simptoma të lehta të intoksikacionit si dhimbje koke, të përzjera dhe pak ansioze. Pacientët janë me parametra stabël, jashtë rrezikut për jetën dhe janë shtruar në pavijon për monitorim”, thuhej në njoftimin e QSUT-së.

QSUT-ja njoftoi se fillimisht në spital u paraqitën 3 nxënës të moshës rreth 15 vjeç, ndërkohë pak më vonë 3 pacientë të tjerë të mitur shkuan pranë urgjencës pediatrike me ambulancë.

Ngjarja ndodhi rrëth orës 09:30 në një shkollë në rrugën “Don Bosko”. Policia dyshon se nxënësit janë helmuar për shkak të rrjedhjes së gazit në sistemin e ngrohjes në një shkollë private, nxënësit e të cilës u evakuuan më vonë. /tvklan.al






Të ngjashme