Rrugët me probleme që kanë impakt në turizëm
Në kohën ku vijojnë diskutimet për buxhetin 2017, Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike janë bërë bashkë për t’i kërkuar qeverisë që të parashikojë fonde për ndërhyrjen në disa rrugë që do të kishin impakt në zhvillimin e turizmit në vend, të cilat sot janë problematike.
Shoqata Shqiptare e Turoperatoreve dhe Agjencive Turistike i kanë drejtuar një kërkesë dy ministrave, atij të Transporteve dhe Financave, si edhe dy krerëve të komisioneve parlamentare, të Ekonomisë dhe Veprimtarisë Prodhuese.
Në të kërkohet ndërhyrje në afro 5 segmente rrugore, me të cilat turistët ndeshen me probleme në sezonin turistik. Shoqata e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike kërkojnë të përmirësohet rruga për tek “Syri i Kaltër”, e cila është në gjendje të mjerueshme.
Të ndërhyhet në rrugën që të çon për tek Kalaja e Lëkursit, pasi lë shumë për të dëshiruar. Të ndërhyet në segmentin Këlcyrë – Ersekë, i cili është i dëmtuar. Të financohet segmenti Poçem – Bylis, i cili aktualisht gjendet pothuajse i izoluar, pas ndërtimit të rrugës së re, Fier – Tepelenë. Ky aks është mjaft i rëndësishëm, pasi do të lidhte rrugën kryesore me një nga zonat arkeologjike më të rëndësishme në vend si Bylisi
Kërkohet të përmirësohet infrastruktura rrugore dhe ura në Manastirin e Zvërnecit, Vau Dejës – Koman. Kjo e fundit sipas Turoperatorëve është ndoshta rruga më e keqe në Shqipëri, rrugë që na prezanton në një mënyrë jo të denjë para turistëve të huaj. Ajo është në gjendje pothuajse të pakalueshme për mjetet.
Tv Klan