RTK me imazh të ri në Kosovën e pas luftës – (27 Prill 2001)


RTK me imazh të ri në Kosovën e pas luftës – (27 Prill 2001)

20:25 27/04/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Radio Televizioni i Kosovës, ka filluar punë 15 muaj më parë, me një iniciativë të Unionit të Transmetimeve Europiane, nën mbështetjen e UMNIK-ut dhe OSBE-së. Sot ky televizion transmeton në rrjetin tokësor dhe atë satelitor, katër orë program në ditë. Një staf prej 150 vetash tashmë punojnë në një strukturë të re, që përfshin jo vetëm departamentin e informacionit, por dhe një numër të kosiderueshëm spektaklesh e programesh argëtuese.

Sipas drejtorit të emëruar kohë më parë Agim Zatriqi, RTK po ecën njëkohësisht me zhvillimin e institucioneve të tjera në Kosovë.

Agim Zatriqi:- “RTK-ja është një projekt i veçantë, shumë i rëndësishëm i Kosovës së pas luftës dhe sado që është i rëndësishëm dhe specifik, s’ka dyshim se ai, në thelb ndan fatin e procesit të përgjithshëm politik në të cilin po kalon Kosova”.

Mund të thuhet se ky televizion ka kaluar një test të vështirë, por të suksesshëm mbi paanshmërinë politike gjatë zgjedhjeve lokale. Gjatë muajve të ardhshëm RTK-ja do të shtojë programet me dy orë të tjera transmetim dhe me një edicion të dytë lajmesh, ndërsa struktura 24 orëshe, mbetet ende larg./tvklan.al






Të ngjashme