Ruçi e Brokaj për kryetarin e PS – (2 Korrik 1999)


Ruçi e Brokaj për kryetarin e PS – (2 Korrik 1999)

18:51 02/07/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Të premten e ardhshme Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i PS do të zyrtarizoj fillimin e betejës për postin e kryetarit duke vendosur datën e Kongresit të III të kësaj partie. Kryetari i mazhorancës socialiste Gramoz Ruçi thekson se kongresi nuk mund të mbahet në muajt Korrik-Gusht, ndërsa kandidatët për kryetar mund të vetëshpallen.

Gramoz Ruçi, kryetar i grupit Socialist:- “Kur zhvillohet një debat jashtë strukturave nuk i shërben forcimit të strukturave. Megjithatë këtu ka dy probleme, e para ata që zhvillojnë debatin duhet të jenë më të përmbajtur dhe e dyta strukturat e partisë duhet të funksionojnë më normalisht për të krijuar hapsira të tilla që të gjithë anëtarët e partisë të zhvillojnë debatin në rrugë institucionale. Unë do të isha i mendimit që secili kandidat të vetëshpallet, të shpalosë alternativën e tij secili dhe pastaj delegatët të vendosin për cilin alternative do të jenë”.

Në lidhje me këto çështje anëtari i kryesisë socialiste Sabit Brokaj shprehet.

Sabit Brokaj, deputet i PS:- “Nuk mendoj se forma më e mirë është fushata në rrethe e kandidatëve të partsë për kryetar partie. Një praktikë e tillë nuk parapëlqehet dhe gjetkë. Ajo do të vendoset në Kongres sipas reputacionit dhe aftësive që do të kenë ata që do të kandidojnë”.

Gazetari:- “Në qoftë se Nano vjen në krye të Partisë Socialiste mund të krijohet një hendek midis dy pjesëve që përkrahin dy faktorë të ndryshëm Majko ose Nano ose dikë tjetër në Kongres?

Sabit Brokaj, deputet i PS:- “Fakti që Nano ka krijuar tani një sensibilitet të lartë, një konflikt tashmë të mprehtë me një pjesë të mirë të drejtimit të PS e bënë të mundshme këtë që Nano nuk do të kandidojë. Unë e besoj që ai nuk do të kandidoj për kryetar se do ta kuptoj që nuk do të ketë përkrahje”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme