Ruçi kërkon ngritjen e komisionit për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar sot një letër krerëve të grupeve parlamentare në Kuvend, në lidhje me ngritjen e Komisionit për Zgjedhjen e Anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në letër, Ruçi shkruan se Kuvendi ka detyrimin për të ngritur një komision të posaҫëm parlamentar, me përfaqësim propocional nga çdo grup parlamentar.
“I nderuar zoti Kryetar, Bazuar në nenin 17 pika 3 të ligjit nr.101/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar”, Kuvendi ka detyrimin për të ngritur komision të posaҫëm parlamentar, me përfaqësim propocional nga cdo grup parlamentar, për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kanditaturave të paraqitura për vendin e Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe të KAS-it. Ju bëj me dije se propozimin tuaj për anëtar në komisionin e posaҫëm duhet ta paraqitni pranë Kuvendit brenda datës 09.09.2020“, shkruhet në letër.
Ngritja e Komisionit në Kuvend është detyrim i Kodit të ri Zgjedhor, i miratuar në seancën plenare të 23 Korrikut, pas marrëveshjes së arritur mes palëve në Këshillin Politik./tvklan.al