Ruçi zgjidhet sekretar i përgjithshëm i PS – (1 Korrik 2000)


Ruçi zgjidhet sekretar i përgjithshëm i PS – (1 Korrik 2000)

15:32 01/07/2000

Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Dy rivalët kryesorë në Partinë Socialiste, që konkurruan dje për postin e sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Gramoz Ruçi dhe Pandeli Majko, kanë komentuar sot ekskluzivisht për Tv Klan, përkatësisht fitoren dhe humbjen e garës, për numrin dy të PS. Ruçi fitoi përballë Majkos me 25 vota më shumë. Për Tv Klan pas fitores Ruçi pohon.

Gramoz Ruçi:- “Sigurisht unë do e filloj punën aty ku e ka lënë Namik Dokle. Unë dhe Dokle kemi dhjetë vjet që punojmë bashkë kështu që, nuk do të pritet ndonjë ndryshim i madh midis punës dhe veprimtarisë së Dokles dhe Ruçit”.

Më 30 Qershor të katër viteve më parë, Gramoz Ruçi e la postin e sekretarit të përgjithshëm të PS. Çfarë i kujton Ruçit fund Qershori i ’96?

Gramoz Ruçi:- “Para katër vjetësh unë kam qarë, pasi kam ikur nga vendi dhe nga partia ime. Pas katër vjetësh po në të njëjtën datë, unë konkurroja brenda strukturave të PS”.

Rivali i Ruçit, Pandeli Majko pohon.

Pandeli Majko:- “Është një rezultat i cili bazohet në një votim të fshehtë, shprehet vullneti i lirë i njërëzve, i anëtarëve të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, kështu që, komentet i takojnë rezultatit konkret. Kjo do të thotë se duhet të dish të humbasësh, për të menduar më tej”./tvklan.al

Gazetare – Mimoza Picari






Të ngjashme