Rusia forcon ushtrinë serbe
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç zhvilloi një vizitë zyrtare në Moskë këtë të hënë, ku u prit nga presidenti Vladimir Putin.
Siç njoftuan edhe dy liderët, në agjendën e takimit ishte bashkëpunimi më i ngushtë ekonomik mes dy vendeve, ku veçohet ardhja e kompanive ruse në tregun serb.
Krahas ekonomisë, mbështetja e Moskës për Beogradin fokusohet edhe te ushtria. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Tanjug, Vuçiç njoftoi mbërritjen nga Rusia të 6 avionëve luftarakë MIG-29.
Situata e tensionuar politike në Ballkan ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve. Presidenti Putin theksoi se beson se marrëdhëniet ruso-serbe do të zhvillohen pozitivisht dhe i uroi Vuçiçit suksese në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ku ai është kandidat.
Kreu i qeverisë serbe tha në një intervistë për Reuters, se objektivi kryesor i Beogradit është anëtarësimi në Bashkimin Europian, por nga ana tjetër kërkohet forcimi i marrëdhënieve edhe me aleatin tradicional Rusinë.
Tv Klan