Rusia një hap nga kualifikimi
Rusia është vetëm një hap nga kalimi në fazën 1/8 të Botërorit falë fitores 3 – 1 me Egjiptin të martën në Shën Peterburg. Triumfi i vendit mikpritës së finaleve të Kupës së Botës e mbajti në krye të Grupit A në kuotën e 6 pikëve. Goli i Salah ishte një ngushëllim i vogël për egjiptianët.
Një rezultat pozitiv i Uruguajit me Arabinë Saudite të mërkurën do të kualifikonte Rusinë dhe do të eliminonte Egjiptin. Në botëror kriteri kryesor për renditjen në rast pikësh të barabarta është golavarazhi.
Japonia befasoi Kolumbinë që e mundi me rezultatin 2 – 1 në sfidën e luajtur në Saransk. Amerikanojugorët mbetën shumë shpejt me 10 futbollistë në fushë, pasi Carlos Sanchez u ndëshkua me karton të kuq, pasi ndali me dorë një top që po i drejtohej portës. Kagawa ktheu në gol penalltinë, por Quintero barazoi rezultatin para pushimit. Në pjesën e dytë Japonia pati më shumë mundësi shënimi dhe në minutën e 73’ ishte Osako, i cili realizoi golin që solli 3 pikët.
Sukses edhe për Senegalin në start, po me rezultatin 2 – 1. Skuadra afrikane mundi Poloninë në përballjen e luajtur në Moskë. Një lojë më kërkuese e ekipit të Niang, i cili realizoi edhe golin që vendosi takimin. Polakët u zgjuan vonë për të përmbysur rezultatin.