Sa herë janë ulur avionët e drogës?


Sa herë janë ulur avionët e drogës?

17:59 11/05/2014 avioniShumë pikëpyetje ka ngritur avioni që mbeti dje në rërën e Divjakës rreth trafikut të drogës nga Shqipëria në vëndet e Bashkimit Europian. A është ky i Divjakës i vetmi avion i ulur në Shqipëri për t’u furnizuar me lëndë narkotike? A bëhet fjalë për një ngjarje të izoluar, apo ky rast u zbulua për shkak të avarisë që pësoi mjeti dhe avionë të tjerë kanë mundur të transportojnë lirisht drogë përtej Adriatikut? Ministri i Brendshëm tha se të paktën ky avion e kishte për herë të parë fluturimin në hapësirën shqiptare.

Ndoshta për këtë avion ishte hera e parë. Por një avion i ngjashëm, si për konçidencë, po me pilot italian, u ul tetorin e kaluar në plazhin e Rrojllit, mes Shëngjinit e Velipojës. U fol për një avari që zgjati 2 ditë për t’u rregulluar dhe avioni u ngrit sërish në fluturim po nga kjo ranishte.

Opozita ka denoncuar raste të tjera, duke u bazuar, siç thonë drejtuesit e saj, në informacione të Shërbimeve Inteligjente e dëshmi të banorëve, se avionë të tillë janë ulur në Divjakë, Gjadër e Kardhiq.

Pak ditë më parë një banor i Divjakës, Genti Kuqi, foli në media për një skenar të ngjashëm me atë të djeshmin. Një avion i vogël që u ul në Bedat dhe fuoristrada që e shoqëronin. Por denoncime të tilla, veçanërisht ato të opozitës, mazhoranca i ka quajtur fantazi.

Numri 2 i Ministrisë së Mbrojtjes shkoi madje në Gjadër për të thënë se në këtë piste avionët e kishin të pamundur të uleshin, për shkak të guralecëve që gjendeshin mbi të. Por avioni i italianit që ngeci në rërën e Divjakës i ka bërë në mos të pabesueshme, të paktën shumë të dyshimta skenarët e autoriteteve për t’u mbrojtur nga denoncimet e opozitës dhe vetë këto denoncime të besueshme edhe kur nuk ngjanin të tilla.

Tv Klan





Të ngjashme