Sabri Godo dorëhiqet nga politika (1 Prill 2001)


Sabri Godo dorëhiqet nga politika (1 Prill 2001)

12:51 01/04/2001

Ish lideri republikan Sabri Godo ka shpjeguar sot për Tv Klan, arsyet e mosrikandidimit për deputet dhe në një farë mënyrë tërheqjes së tij nga politika. Do të angazhohem në shoqërinë civile ka deklaruar Godo duke nënvizuar se të gjithë shqiptarët janë të lodhur nga politika.

“Politika bëhet dhe jashtë Parlamentit. Është ajo që quhet shoqëria civile e cila mund të ketë një ndikim mjaft të mirë në politikën, analizat, orientimet dhe njeriu mund të angazhohet aty ku e ndjen se kërkon të jetë më shumë i lirë. Ose kur mendon se pati një përvojë të mjaftueshme si në rastin tim në Parlament dhe në jetë aktive politike apo të qënurit funksionar. Unë do të vazhdoj të jem në PR, t’a përkrah atë dhe t’a ndihmoj, pavarësisht në zhvillimin e ngjarjeve. Kjo do të jetë kështu për mua deri në fund ashtu siç ka qenë si në fillim.”

I pyetur nëse ndihej i zhgënjyer nga politika, ai u shpreh:

“Unë besoj se shqiptarët në tërësi nuk mund të thonë se janë të kënaqur nga politika. Prej 10 vitesh kemi patur vetëm grindje. Kemi harxhuar një pjesë të madhe të kohës që deri dje që mund të ishin mënjanuar duke lënë mënjanë shqyrtimin apo zgjidhjen e problemeve që janë me të vërtetë të një rëndësie jetike për vendin. Kështu që kurrsesi nuk mund të thonë shqiptarët se janë të kënaqur nga politika, në të kundërtën.”/tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme