Saimir Pirgu “Romeo” i Barcelonës
Cilësohet si një ndër figurat më interesante të skenës aktuale tenori shqiptar Saimir Pirgu, i cili ndodhet në Barcelonë për Operan “Romeo dhe Zhuljeta” të Charles Gounod, një përshtatje e tragjedisë Shkespiriane. Pirgu ka marrë vëmendjen maksimale të mediave spanjolle dhe atyre eruopiane, të cilat e cilësojnë të jashtëzakonshëm interpretimin e tij në rolin e Romeos.
Në një intervistë për “Codalario”, revistë kushtuar muzikës klasike, Pirgu flet për Romeon e fundit, rikthimin për të disatën herë në Barcelonë, karrierën, fillimet, studimet në Tiranë dhe vështirësitë e një tenori. Në një rrëfim të gjatë, ai tregon se studionte violinë para se të bëhej këngëtar, por ndërroi mendje kur pa për herë të parë në tv modelin e tij absolut, të ndjerin Luciano Pavaroti , por edhe Placido Domingo.
I pyetur se çfarë ka Shqipëria të veçantë që prodhon emra të mëdhenj të muzikës klasike, si Inva Mula e Ermonela Jaho, Pirgu shprehet se vetëm Inva Mula është një produkt 100 përqind shqiptar. Ai e cilësoi veten një violinist shqiptar, por si këngëtar produkt italian. Gjithashtu edhe Jaho sipas tij nuk do të kishte ndjeshmërinë mbresëlënëse nëse nuk do të kishte përvojën e saj në Itali dhe në teatrot e mëdhenj europianë.
Pas 24 dhe 27 Shkurtit, “Romeo dhe Zhuljeta” do të shfaqet në teatrin e madh të Barcelonës më 2 dhe 4 Mars.
Tv Klan