Sali Berisha denoncon manipulimet me listat e votuesve – (6 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
“Tani kam fakte që listës së zgjedhësve i mungon gati 30% e votuesve”. Sot kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka lexuar para gazetarëve, një letër që shefi i OSBE-së Ahrens, i adreson Ministrit të Pushtetit Lokal Fino, kryeministrit Meta, zëvendës kryeministres Çeço dhe institucioneve të tjera. Sipas Berishës këtu OSBE tërheq vëmendjen se 600 mijë votues, kryesisht qytetarë që kanë lëvizur nëpër Shqipëri, nuk janë regjistruar për votime.
Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Sipas OSBE-së, kjo do të thotë të rrezikosh t’u heqësh të drejtën e votimit një numri të madh votuesish potencial, të cilët të gjithë kanë një status ligjor në regjistrin civil. Çdo rast individual duhet të shqyrtohet në tërësi dhe me ndërgjegje gjatë verifikimit. Ata votues potencial që mbetën të pa identifikuar duhet të përfshihen në listën përfundimtare të votuesve megjithëse mund të ketë ndonjë rritje të numrit total të votuesve. Tani të besosh se Fino ka ndërgjegje shoqërore është njëlloj si të besosh se rrethi bëhet katror. Ajo çka është shumë e dënueshme është qëndrimi tërësisht shumë i papërgjegjshëm ndaj 600 mijë votuesve”.
Ne kemi denoncuar dhe më parë këtë dhe kemi dhe të tjera dokumente që faktojnë pretendimet tona për manipulime me listat e votuesve, ka deklaruar para gazetarëve Berisha./tvklan.al