Sali Berisha rikthehet për miting në Vlorë – (14 Shtator 2000)


Sali Berisha rikthehet për miting në Vlorë – (14 Shtator 2000)

13:17 14/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha rikthehet sot përsëri në sheshin e Flamurit. Në orën 11 ai do të marrë pjesë në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale në qytetin bregdetar, ku do të prezantojë dhe kandidatin demokrat për kryetar të bashkisë Esat Hasani.

Mitingu i sotëm i Berishës, nuk ka ngjallur të njëjtin interes me mitingun në Majin e këtij viti, që ishte i pari që pas trazirave të Marsit të ’97. Partia Demokratike, fillimisht shpalli koalicionin me të gjithë spektrin e djathtë në mënyrë që të dilnin me kandidatë të përbashkët për kryetar bashkie, por E Djathta e Bashkuar, caktoi një kandidat të vetin për zgjedhjet e 1 Tetorit.

Bashkinë e Vlorës e synojnë disa kandidatë. Pesë prej tyre janë vënë përballë njëri-tjetrit në një debat televiziv në një prej lokaleve private të qytetit. Kandidati socialist Niko Veizi, ai demokrat Esat Hasani, e PAD Drita Aga, i të Djathtës së Bashkuar Shqiptare Sqarim Shehu dhe kandidati i pavarur Vladimir Fejzo, shpjeguan para një numri rekord shikuesish platformat e tyre.

Debati mes tyre ishte konstruktiv dhe i shoqëruar me telefonata të votuesve. Ky ishte debati i parë i kësaj natyre që zhvillohet në një kanal televiziv gjatë një fushate elektorale./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme