Samiti i Ballkanit, jehonë në mediat gjermane


Samiti i Ballkanit, jehonë në mediat gjermane

12:42 29/04/2019

Konferenca për Ballkanin Perëndimor, e thirrur në Berlin nga Angela Merkel dhe Emmanuel Macron ka bërë jehonë në mediat kryesore gjermane. Vëmendje e veçantë i kushtohet konfliktit Kosovë-Serbi, ku qëndrimi i franko-gjerman është i prerë; “Jo ndryshim kufijsh me baza etnike”.

Prestigjozja Frankfurter Allgemeine Zeitung sjell intervistën e tre deputetëve gjermanë Peter Beyer (CDU), Socialdemokratit Josip Juratovic dhe Manuel Sarrazin i të Gjelbërve. Ata refuzojnë kategorikisht propozimin e presidentëve Thaçi e Vucic për këmbim territoresh, pasi sipas tyre, zonat e përcaktuara etnikisht janë vizion i rrezikshëm nacionalistësh që mendojnë në kategori racore, e që e kanë çuar njëherë rajonin në luftën më të përgjakshme të historisë europiane të pasluftës së Dytë Botërore.

“Eksperimente shpërthyese” shkruan Süddeutsche Zeitung në një editorial kushtuar Samitit.

“Nëse përparon axhenda e kufijve etnikë, duhet të bien këmbanat e alarmit, thuhet në artikull. Është merita e Angela Merkelit që thuajse e vetme ishte prej fillimit kundër kësaj. Sepse kush vë në pyetje kufijtë, ndez sërish fitilin në fuçinë e barutit me emrin Ballkan”.

Për gazetën Die Velt këmbngulja e Merkel për mosndryshim të territoreve, “është një mbrojtje e trashëgimisë” që ka krijuar kancelarja, e cila ishte e para që kundërshtoi ripërcaktimin e kufijve në rajon, ndonëse e kuptoi vonë fushatën e presidentit serb Vuçiç.

Merkel e Macron, Paqeruajtës në Ballkan, është titulli i të përditshmes Der Spiegel. Një ngjarje që mund të shënojë një kthesë në historinë e rajonit e ka quajtur ish-deputeti gjerman Christian Schëarz-Schilling, një njohës i mirë i politikave ballkanike, i cili nis edhe një mesazh për Merkel e Macron

Christian Schëarz-Schilling – ish-deputeti gjerman :

Futeni në udhën e duhur me vendosmëri dhe forcë veprimi këtë hap të guximshëm – Konferencën për Ballkanin Perëndimor. Kapeni shansin tuaj dhe tonin për Europën! Kështu ju jepni për ne në Europë dhe për njerëzit në Ballkanin Perëndimor një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme të sigurt dhe në paqe.

Schëarz-Schilling paralajmëron se kufijtë me baza etnike do të shkaktonin sërish radhë me mijëra refugjatë si në vitin 1999.

Tv Klan






Të ngjashme