Samiti i BE në Francë, hartohet Paketa e Kompromisit (11 Dhjetor 2000)
Dita e sotme e Samitit të Nicës do të hyjë në historinë e BE-së si dita më luftarake e këtij samiti sepse sot vendet europiane po merren me paketën e kompromisit të propozuar nga Franca. Shirak gjatë natës, ka propozuar mes tentativash të shumta një projekt përfundimtar. Belgjika dhe Portugalia ishin dy vende të cilat e kundërshtonin me forcë propozimin e parë francez.
Pas ndryshimeve të mbrëmshme është ende Belgjika e cila thotë jo. Çeshtja kyçe është mënyra e votimit. Në propozimin francez është parashikuar që 27 të jetë numri kufi i anëtarëve të BE-së në të ardhmen. Britania ka kërkuar që të ketë veto për çeshtjet sociale dhe fiskale.
Gjermania kërkon të drejtën e emigracionit dhe të azilit politik, por ende nuk është arritur një konsensus i përgjithshëm për të quajturën paketa e kompromisit. Amato, kryeministri italian është shprehur se akoma nuk jemi të kënaqur nga pikat e parashikuara në paketën e kompromisit./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori