Samiti i liderëve të BE anashkalon zgjerimin
Liderët e vendeve të Bashkimit Europian të mbledhur sot në Bruksel kanë vendosur të mos t’i përfshijnë konkluzionet për zgjerimin në dokumentin final të samitit.
Kjo për shkak se ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian nuk gjetën dakortësinë lidhur me Turqinë, pasi Austria kërkon ngrirjen e negociatave.
Megjithatë dokumenti i konkluzioneve të ministrave të jashtëm mbetet i vlefshëm dhe në fuqi.
Në këtë dokument për Shqipërinë, thuhet se duhet siguruar një zbatim gjithëpërfshirës, i qëndrueshëm dhe i gjithanshëm i 5 prioriteteve kyçe para se të hapen negociatat e anëtarësimit.
Gjithashtu, Shqipërisë i kërkohet zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare dhe raporte të mira me fqinjët.
Tv Klan