Basha: Qeveria mungesë ndjeshmërie ndaj Kosovës


Basha: Qeveria mungesë ndjeshmërie ndaj Kosovës

12:49 22/12/2019

“S’do ketë kurrë fqinjësi të mirë pa Kosovën”

Lulzim Basha është shprehur me tone të ashpra në adresë të qeverisë dhe Kryeministrit Rama lidhur me samitin e Mini-Shengenit. Për kreun e opozitës, fqinjësia e mirë në Ballkanin Perëndimor kurrsesi nuk mund të arrihet duke përjashtuar Kosovën.

“E konsideroj të papranueshëm moskonsultimin e qeverisë shqiptare me Kosovën për këtë iniciativë dhe bërjen pjesë të saj pa e kushtëzuar paraprakisht pjesëmarrjen e Shqipërisë me praninë e Kosovës.  Ndihem i turpëruar që qeveria e Shqipërisë nuk demonstron empati dhe përgjegjësi për plagët e pambyllura të Kosovës, pikërisht në këtë periudhë kur populli i saj u ngrit i gjithi në këmbë e me zemër të hapur në solidaritet për të ndihmuar, si e me sa të mundeshin familjet e prekura nga tërmeti”.

Si parti e qendrës së djathtë, thotë se mbështet tregtinë dhe qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe krahut të punës, por Basha e sheh të pashpjegueshme nevojën për një nismë të re rajonale.

“Për këto qëllime kemi nisma të tjera me synime të ngjashme, siç është CEFTA e cila është dëshmuar tashmë si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e të gjitha vendeve të Europës Qendrore e Lindore për integrimin në BE. Kjo qeveri po e saboton këtë organizatë duke shtyrë përpara një nisëm të re që e rivalizon dhe i mbivendoset”.

Propagandë i cilëson takimet e zhvilluara deri më tani në procesin e Mini-Shengenit, për të cilat thotë se kanë si qëllim të largojnë vëmedjen nga dështimi me hapjen e negociatave dhe keqqeverisja.

Tv Klan






Të ngjashme