Samiti i Parisit, 100 mln euro për 3 projekte hekurudhore


Samiti i Parisit, 100 mln euro për 3 projekte hekurudhore

15:10 05/07/2016

Nëse dy takimet e para të zhvilluara në Gjermani e Austri, në kuadër të procesit të Berlinit, u mbyllën me mbështetjen në parim të bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ky i Parisit i zhvilluar ketë fillim jave dha një mbështetje konkrete financiare për 3 projekte infrastrukturore, përmes një fondi prej afro 100 milionë euro nga Bashkimi Europian.

Një nga këto projekte është, ai i propozuar nga qeveria shqiptare për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e degëzimit për në Rinas, me një vlerë investimi 82 milionë euro, nga të cilat granti i Bashkimit Europian që u miratua në samit, është 35 milionë euro.

“Ne jemi shumë të kënaqur që u vlerësua maksimalisht serioziteti i treguar nga qeveria shqiptare në programimin e kësaj faze. Por akoma më shumë jemi të kënaqur që mesazhi ynë për të mos reshtur në procesin e integrimit dhe për të shkuar më tutje, padyshim që pati jehonë pozitive, jo në këtë rast thjeshtë për ndonjë meritë, por thjeshtë sepse qoftë Kancelarja, qoftë Presidenti Hollande u treguan shumë të vendosur që ta çojmë përpara procesin e integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian”.

Edhe pse është ende një plan në letër, sipas Kryeministrit u vlerësua pozitivish propozimi i bërë nga qeveria shqiptare për heqjen e e barrierave jo tarifore, mes të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Është një plan që ne e kemi propozuar nisur nga eksperienca shumë pozitive mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është një plan i përqafuar menjëherë nga qeveria e Serbisë dhe qeveritë e tjera e ne po përgatitemi ta lançojmë sëbashku në muajin Shtator të bindur që do të sjellë një impakt pozitiv në rritjen e përbashkët të volumeve tregtare në rajon dhe padyshim dhe në rritjen ekonomike të vendeve të rajonit”.

Në samitin e organizuar nën kujdesin e Presidenti frances Hollonde, ku merrte pjesë dhe Kancelarja Merkel dhe drejtuesja e lartë për politikën e jashtëm të BE, Frederika Mogerini u nënshkrua dhe marrëveshja për themelimin e Zyrës së Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, që do ta ketë zyrën në Tiranë dhe që do të financojë projekte që nxisin bashkëpunimin mes të rinjve të rajonit.

Për Ministrin e Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, i cili ka mbajtur një fjalë në darkën e shtruar nga Presidenti Hollonde, ngritja e kësaj zyre është një mesazh shumë i fortë për të rinjtë e rajonit tonë, pasi sipas tij, bashkëpunimi dhe komunikimi janë e ardhmja e Ballkanit.

Tv Klan






Të ngjashme