Samiti i Shkupit, kryeministri Meta replika me Koshtunicën – (23 Shkurt 2001)


Samiti i Shkupit, kryeministri Meta replika me Koshtunicën – (23 Shkurt 2001)

14:12 23/02/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Samiti i Shkupit, i cili nisi punimet sot paradite, ka forcuar edhe njëherë idenë ballkanike, për fqinjësi të mirë, stabilitet, pas vendosjes së paqes, zhvillim politik dhe ekonomik. Iniciativës për bashkëpunim rajonal, i është bashkuar dhe Jugosllavia, e cila ishte përjashtuar dhe Bosnje Hercegovina, që u pranua anëtare me të drejta të plota.

Në takim kanë folur me radhë të gjithë kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të rajonit. Gjatë mbajtjes së fjalimeve përkatëse, kryeministri Meta ka replikuar me presidentin jugosllav Koshtunica, i cili tha, se terrorizmi shqiptar po godet paqen në Europën Juglindore. Nuk duhet të harrojmë u kundër përgjigj kryeministri shqiptar, se shkaku themelor i problemeve të sotme është gjenocidi i një dekade të ushtruar nga Millosheviçi dhe pasojat e gjithanshme të tij. Ne shpresojmë, vijoi ai, se minoriteti serb në Kosovë e në veçanti në Mitrovicë, do të inkurajohet nga udhëheqja e re e Beogradit, që të marrë pjesë në procesin e ndërtimit të institucioneve demokratike në Kosovë, e jo ta bojkotojnë atë.

Ndërkohë samiti ka pasur edhe probleme të tjera diskutimi dhe ndër to, ka qenë heqja e barrierave ekonomike, unifikimi i doganave, formimi i një tregu të përbashkët etj. Problem shqetësues për vendet e rajonit ngelet energjetika dhe në këtë kontekst është pranuar ideja e koordinimit në këtë fushë. Aktualisht delegacionet janë duke zhvilluar takime dypalëshe, ndërsa ai shqiptar ka nënshkruar marrëveshje me palën maqedonase në fushën e arsimit, për njohjen reciproke të diplomave./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme