Samiti në Slloveni, Meta: Mirënjohës për mbështetjen që BE vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë


Samiti në Slloveni, Meta: Mirënjohës për mbështetjen që BE vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë

15:57 06/10/2021

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas përfundimit të samitit të Sllovenisë, mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se mesazhet e sotme të Samitit BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese.

Sipas tij “perspektiva europiane e rajonit jetësohet përmes reformave të besueshme, në themel të të cilave qëndrojnë parimet dhe vlerat europiane të demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit”.

Kreu i shtetit shpreh mirënjohje për BE-në që vijon t’i japë mbështetje Shqipërisë dhe gjithë rajonit në rrugën drejt integrimit.

Mirënjohës për mbështetjen politike dhe ndihmën e gjithanshme, që Bashkimi Europian vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë, si partner i parë dhe i natyrshëm ekonomik, duke qëndruar plotësisht të linjëzuar në qëllimin e përbashkët strategjik të zgjerimit. Plani Ekonomik i Investimeve dhe Agjenda e re për Inovacionin duhen shfrytëzuar maksimalisht për të rimëkëmbur ekonominë dhe frenuar shpopullimin e mëtejshëm dramatik të vendit”, vijon reagimin Meta.

Në fund ai deklaron se “bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përqëndrohet në zbatimin e zotimeve të ndërmarra. Bishtnimi ndaj këtyre zotimeve dhe parcelizimi i rajonit kundërprodhojnë më shumë ndasi dhe konflikte artificiale të padobishme, dhe bien ndesh me rrugën europiane të vendeve tona”./tvklan.al






Të ngjashme