Sava Bardhi tregon si kanë udhëtuar shqiptarët gjatë pandemisë


Sava Bardhi tregon si kanë udhëtuar shqiptarët gjatë pandemisë

19:55 12/12/2020

Turizmi në kohë pandemie dhe si kanë udhëtuar shqiptarët. Për këto çështje u diskutua këtë të shtunë në emisionin “Rudina” në Tv Klan.

E ftuar ishte Sava Bardhi drejtuesja e agjencisë turistike “Sava Tours” që foli se si kanë udhëtuar shqiptarët pas  karantinës.

Ajo tha se që nga muaji Mars deri në Qershor asnjë udhëtim nuk u krye, ndërsa për kkompanitë turistike dëmet janë të jashtëzakkonshme.

Dritë në fund të tunelit, për Bardhin ishte Qershori kur u hapën udhëtimet me Turqinë. Ajo deklaroi se që prej muajit Shtator e deri më tani, për shkak se numri i të infektuarve po rritet sërish në drejtim të kompanive të turizmit ka rënie çka po i çon ato drejt kolapsit.

“Që nga fillimi i pandemisë në muajin Mars udhëtimet u prenë si me thikë dhe sigurisht që industria e turizmit siç e thatë dhe ju ishte ajo më e prekura. Frika është që mund të kalojë në një kolaps me dëme shumë të mëdha ekonomike, kjo flas për të gjithë botën, por flas edhe për Shqipërinë, e cila ndihet gjithnjë e më shumë kjo krizë. Në momentin që flasim është në kulmin e saj. Gjatë verës, nga Marsi deri në muajin Qershor asnjë njeri nuk mund të udhëtonte. Udhëtimet ishin për arsye të  forta shëndetësore ose gjëra të ngjashme si riatdhesimet. Në lidhje me turizmin, udhëtime turistike për kënaqësi pati një prerje drastike si me thikë. Gjatë muajit Qershor, e vetmja dritë  në këtë tunel të errët ishte hapja me Turqinë e cila na dha mundësinë ne dhe pushuesve që donin të udhëtonin jashtë duke zbatuar protokolle, të gjitha hotelet të jugut të Tuqisë hapën dyert jo vetëm për turistët shqiptarë, gjermanë, europian, rusë etj. Le të themi që nga Qershori deri në fund të Shtatorit ne arritëm të realizonim një sërë  fluturimesh carter vetëm drejt Antalya-s, që ishte një destinacion që funksionoi. Çdo gjë ishte shkëlqyeshëm. Ne kishim të njëjtën frikë se si do të përballonim këtë realitet të ri. Ajo që na impresionoi ishte mënyra se si këto struktura pritëse kishin realizuar në mënyrë të shkëlqyer çdo detaj. Faktikisht të gjithë i morën masat dhe arritëm të marrim pak frymë turoperatorët turistikë shqiptarë. Që nga Shtatori  e deri më sot duke u rritur numri i të infektuarve bëmë një regres tjetër që po vazhdon dhe është shumë i rëndë për kompanitë e vogla që e ndjejnë më shumë këtë krizë. Para kësaj krize nuk ka të mëdhenj dhe të vegjël, para kësaj krize të gjithë në një farë mënyrë po kolapsojnë”, tha ajo./tvklan.al






Të ngjashme