Seanca e fundit plenare, votohet projekti per privatizimin e Albtelekom – (17 Maj 2001)


Seanca e fundit plenare, votohet projekti per privatizimin e Albtelekom – (17 Maj 2001)

09:56 17/05/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Në fund të muajit Nëntor, do të zhvillohet tenderi ndërkombëtar për shitjen e kompanisë së vetme të telefonisë fikse shqiptare Albtelekom. Me 68 vota pro, 6 kundër, parlamenti i ka hapur dritën jeshile projektit të kabinetit Meta, për privatizimin e Albtelekom. 16 deputet të mzhorancës kanë qëndruar indiferent ndaj këtij projekti, duke hezituar të votojnë.

Me miratimin e projektit të qeverisë së mbrojtur nga Ministri i Privatizimit Mustafa Muçi, janë shmangur debatet e ditëve të fundit edhe brenda mazhorancës socialiste.

Mustafa Muçi:- “Ne parashikojmë, që me përgatitjen e të gjithë dokumentacionit përkatës, tenderi i hapur ndërkombëtar të hapet rreth fundit të muajit Nëntor apo fillimi i vitit tjetër”.

Në bazë të projektit të miratuar nga parlamenti, investitorët strategjikë do të kenë në duar jo më pak se 51% dhe jo më shumë se 76% të kapitaleve të Albtelekomit. Në seancën e fundit plenare për këtë legjislaturë, deputetët miratuan edhe formën dhe formulën e privatizimit të Bankës së Kursimeve, lejen minerare për 100 vjet për pronarët e fabrikës së çimentos në Elbasan, si dhe privatizimin me koncesione të disa minierave./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme