Seanca gjyqësore për Leka Zogun – (30 Qershor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ka vazhduar sot seanca gjyqësore kundër Lekës së I, trashëgimtarit të fronit mbretëror shqiptar i cili akuzohet se ka nxitur kryengritjen e armatosur më datë 3 Korrik 1997. Rreth këtij procesi zëdhënësi i Oborrit Fluturak Gërmenji prononcohet për Tv Klan.
Fluturak Gërmenji:- “Ky është një gjyq i tej zgjatur sepse ka dy vjet që ka filluar dhe ende s’ka mbaruar por deri më sot që është një seancë nga parafundit, janë pyetur të gjithë dëshmimtarët e akuzës ka ngelur vetëm një dëshmimtar për tu pyetur sot. Pothuajse të gjithë dëshmimtarët nuk e kanë vërtetuar akuzën, nukë është vërtetuar ajo për kryengritje të armatosur.
Gazetari:- Cili ka qenë reagimi i fundit i Mbretit lidhur me këtë gjyq?
Fluturak Gërmenji:- “Mbreti pothuajse nuk është marrë me këtë gjyq. Gazetarë të ndryshëm edhe kur kemi qenë në Johanesburg, kur e kanë pyetur për këtë gjyq ai ka theksuar se nuk është folur dhe nuk ka pasur asnjëherë asnjë plan për kryengritje të armatosur.
Në seancën e sotme nga tre dëshmimtarët e akuzës u paraqit vetëm një dhe pikërisht Gjovalin Frroku, polici i komisariatit nr.1, i cili në atë periudhë ka qenë në ruajtjen e Pallatit të Kongreseve seli e Komisionit Qëndror të Votimit.
Ai ka theksuar në dëshminë e tij se ka parë Lekën e I, që i është drejtuar derës kryesore të Pallatit të Kongresevë por nuk ka tentuar të futet brenda. Sipas tij përpara Lëkës kanë qenë rreth 20 persona të armatosur që kanë tentuar të futen me forcë në Pallatin e Kongreseve./tvklan.al