Sekretari Amerikan i Shtetit: Do shërbej për aq kohë sa do presidenti
Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson komentoi publikisht për herë të parë lidhur me njoftimet se ai mund të largohet nga posti. Reagimi i tij erdhi ndërsa zhvillonte një takim me shefin e diplomacisë së Katarit.
Pas daljes para shtypit me Ministrin e Jashtëm të Katarit, Al Thani në Departamentin e Shtetit, zoti Tillerson reagoi kështu lidhur me aludimet se ai mund të largohet nga posti:
“Nuk do të shkoj gjëkundi.”
Gazetarja :
“Sa do qëndroni në detyrë ?”
Tillerson:
“Për aq kohë sa më lejon presidenti.”
Gazetarja :
“Si i keni marrëdhëniet me presidentin ?”
Tillerson:
“Të mira.”
Media kishte aluduar se marrëdhëniet e zotit Tillerson me Shtëpinë e Bardhë ishin të tendosura si rezultat i dallimeve mes tyre.
Zoti Tillerson nuk foli për takimin me homologun nga Katari. Javën e kaluar ai tha se Uashingtoni ishte i kënaqur me përpjekjet e Katarit për të trajtuar shqetësimet rreth financimit të grupeve ekstremiste, ndërsa ai punon për të zgjidhur krizën aktuale diplomatike në Gjirin Persik. /VOA