Sekuestrohen 130 mijë maska në Itali, nuk plotësonin standardet
Gjendja e pandemisë së koronavirusit ka shtuar kontrollet nga ana e Guardia di Finanza, e cila në orët e para të mëngjesit të sotëm ka bërë të mundur sekuestrimin e mbi 130 mijë maskave mbrojtëse që nuk plotësonin standardet higjienike.
Malli nuk përmbushte rregullat kombëtare dhe aq më pak ato të BE-së, dhe për këtë fakt u bë e mundur dhe sekuestrimi i tyre.
Maskat zotëronin një etiketë të markës CE, teksa mbi to ishin stampuar logo të skuadrave kryesore të Seria A, si Milan, Juventus dhe Inter. Nga kontrollet e shumta, u gjet një kompjuter dhe një printer profesional që besohet se ka ndihmuar në prodhimin e maskave.
Ndërkaq, u sekuestruan dhe mbi 10 mijë produkte të tjera, përfshirë xhel dezinfektues dhe doreza mbrojtëse në ambientet dhe depot e 16 dyqaneve të vendosura në rrethet Tuscolano, Bufalotta, Torre Angela dhe Prenestino.
Guardia di Finanza bëri të mundur ndalimin e 17 personave si përgjegjës të mallit. Gjatë hetimeve u shfaqën edhe manovrat spekulative të çmimeve, në disa raste 400% më të larta se çmimet e tregut.
Klan Plus