Sekuestrohen 200 kg kanabis sativa në thellësi të tunelit
Strukturat e Komisariatit të Policisë Mat ka bërë të mundur sekuestrimin e rreth 200 kg kanabis sativa në një tunel në njësinë administrative të fshatit Rreth-Bas.
Bazuar në Planin e Veprimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, "Mbi masat që duhen marrë për evidentimin dhe goditjen e fenomenit të sigurimit të farave për kultivimin e bimëve narkotike, në sera, tunele, dhe ambiente të tjera" policia është organizuar në grupe kontrolli. Droga është sekuestruar në afërsi të lagjes Daci, e futur brenda në thasë, 25 metra në brendësi të tunelit. Strukturat e Komisariatit të Policisë Mat, kanë vijuar kontrollin e territorit, ku pranë tunelit ku u gjet lënda narkotike, në një kontenier është gjetur përsëri lëndë narkotike dhe mbetje të lëndës narkotike. Gjithashtu në kontenier është gjetur edhe një armë zjarri kallashnikov. Vijon puna për peshimin e plotë të lëndës narkotike që u gjet më parë në një tunel, dhe kjo e gjetur në kontenier. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve./tvklan.al