
Selatin Paplekaj, “Deda” i kohëve moderne (Video)
Të gjithë e kujtojnë filmin shqiptar “Rrugë të bardha”, ku personazhi i filmit Deda, sfidonte të ftohtin, acarin e dëborën, për të rregulluar defektet elektrike.
Selatin Paplekaj po ashtu është “Dedë i kohëve moderne”. Ai sfidon të ftohtin për të rregulluar problemet që ndodhin në shtyllat që përçojnë energjinë elektrike në fshatin Lekbibaj në Tropojë. Historia e tij u përhap shpejt në rrjetet sociale, ndërkohë sot ai ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të rrëfyer më tepër rreth vështirësive që has gjatë punës së tij si elektriçist.
“Në bregun e lumit është pika më e ulët e nivelit të dëborës që arrin rreth 70 cm, por më lart arrin edhe 1 metër apo 1 metër e gjysmë. Unë prej 3 vitesh jam vetëm në këtë punë, tani më kanë sjellë edhe një ndihmës. Ne atje përgatitemi gjatë gjithë verës për dimrin sepse e dimë që bën shumë dimër.
Unë jam mësuar tashmë me atë punë dhe nuk është shumë e vështirë të ngjitem në shtyllë me këmbalecë. Kur rregullohen defektet banorët më marrin në telefon dhe më njoftojnë se kanë ardhur dritat. Puna atje është shumë e vështirë sepse linjat janë shumë të gjata, me makinë nuk lëvizet, gjithçka duhet ta mbaj në krahë. Këtë profesion e zgjodha sepse në atë zonë mbeteshim shpesh pa drita. Vetë banorët i riparonin defektet. Ngaqë kisha njohuri në këtë punë thashë po studioj që t’i shërbej këtij komuniteti. Unë erdha në Ministri vetë dhe kërkova punë. Bëra vetëm një kurs, nuk kam bërë shkollë për elektriçist. Gabimet në këtë profesion nuk falen. Duhet të merren masat pa kryer asnjë veprim, ndryshe je i pasigurt”,
tha Paplekaj./tvklan.al