Seminari i Qendrës së Gruas – (29 Maj 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Mbrojtja e grave dhe fëmijëve refugjatë nga Kosova ka qenë preokupimi i takimit të zhvilluar sot nën kujdesin e Qendrës së Gruas. Gra nga Kosova të ardhur në kampe të ndryshme të vendit kanë sjellë dëshmi tronditëse jo vetëm në fazën e shpërnguljes por dhe diskriminimin e mëparshëm.
Gratë brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë diskutuar sot së bashku për problemet që shqetësojnë veçanërisht gratë dhe fëmijët kosovarë. Ato janë ndalur tek trajtimi i dhunës seksuale, kushtet në kampet e refugjatëve, dokumentat dhe dëshmitë, si dhe kushtet minimale për kthimin në Kosovë.
Në seminarin e sotëm është paraqitur edhe programe psiko-sociale për traumat e shumta mes të dëbuarve me dhunë nga Kosova. Qendra e Gruas ka parashtruar si një nga aktivitetet prioritare të saj asistencën për gratë dhe vajzat e traumatizuara.
Rritja e ndërgjegjësimit publik, dokumentim i historive dhe eksperiencave të shkeljes së të drejtave të njeriut për tu paraqitur në Gjykatën e Hagës, do të jetë një tjetër aktivitet prioritar për Qendrën e Gruas Shqiptare./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego