Senati italian jep votëbesimin për qeverinë
Senati italian votoi me 171 vota pro, 117 kundër dhe 25 abstenim qeverinë e re me kryeministër Giuzepe Conten.
Në një fjalim të gjatë, kryeministri Giuzepe Conte përsërit premtimin se do të jetë avokat i qytetarëve italianë, duke hedhur poshtë akuzat se kabineti i tij është racist.
“Nuk jemi dhe nuk do të jemi kurrë racistë. Forcat politike të këtij koalicioni janë akuzuar për populiste dhe anti-sistem. Nëse populizëm do të thotë të dëgjosh nevojat e njerëzve, atëherë ne e pranojmë këtë.”
Kabineti qeveritar i formuar nga aleanca populiste Lëvizja 5 Yjet – Lega Nord u përball në një debat me senatorët opozitarë. Ish-kryeministri Matteo Renzi iu drejtua qeverisë së re duke i thënë se tashmë nuk ka më asnjë alibi. Senatori demokrat nuk la pa thumbuar kreun e 5 Yjeve Luixhi Di Maion, të cilin akuzoi për autoritarizëm dhe e krahasoi me Luigjin e XIV, duke cituar një fjali të tij e të risjellë nga Di Maio, “Shteti jemi ne”. Pas votëbesimit në Seant, qeveria pritet të ballafaqohet të mërkurën edhe me Dhomën tjetër të parlamentit.
Tv Klan