Serbia refuzon Gjermaninë për linjën Shqipëri-Kosovë
Serbia “refuzon” qeverinë Gjermane për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së vënies në përdorim të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Në shtator të vitit 2017-të, në mënyrë zyrtare, Gjermania si një financuese e kësaj linje përmes kredisë së butë që dha KFW, i kërkoi Sekretariatit të Energjisë që të negociojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit për t’i dhënë pavarësinë Operatorit të Transmetimit të Kosovës, i cili më pas do të ishte i lirë të përdorte linjën e tensionit të lartë 400 kv.
Por një raport i Sekretariatit të Energjisë, thotë se Serbia nuk ka reaguar mbi kërkesën që sekretariati ka bërë për të emëruar një përfaqësues për negociatat, çka ka bllokuar bisedimet mes dy vendeve. Burime pranë ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë thonë për televizionin Klan se dy shtetet ende nuk kanë lëvizur për zbatimin e marrëveshjes që kanë bërë për të licensuar në veri të Kosovës një kompani serbe për shpërndarjen e energjisë.
E gjitha kjo situatë po mban peng prej 1 viti e gjysëm investimin prej 75.5 milion Euro që Shqipëria dhe Kosova kanë bërë për linjën. Që në vitin 2013-të vendi ynë ka nisur që të paguajë rregullisht këstet e kredisë që ka marrë për këtë projekt, ndërsa në 2016-ën filloi të shlyejë principalin. Çdo vit, si Kosova dhe Shqipëria, humbin 1 milion euro vetëm nga pagesat që duhet të jepnin kompanitë të cilat do të përdorin këtë linjë, ndërsa po ashtu është cënuar edhe siguria energjetike e dy vendeve.
Tv Klan