“Serenissima” telashe edhe me drejtësinë italiane
Përfundon sërish në telashe kompania italiane Serenissima Construzioni, e kontraktuar për ndërtimin e 2 By-Pass-eve të rëndësishme në vendin tonë, atë të Fierit dhe të Vlorës dhe e larguar me një mal me borxhe të lëna pas.
Pas paditjes në drejtësinë shqiptare, dy firmat nënkontraktuese shqiptare, “Elite Mine” dhe “Cae”, të përfaqësuara nga dy avokatë italianë, e çojnë çështjen në gjykatën e Veronës. Padia ngrihet ndaj A4 Holding, grupin që zotëronte firmën e ndërtimit, si edhe ndaj dy kompanive të tjera italiane të cilat vetëm pak javë më parë blenë aksionet e Serenissima-s. Hija e dyshimit për një strategji mashtrimi, siç shkruajnë mediat italiane, ngrihet pikërisht pas shitjes së kompanisë Serenissima Construzioni. A4 Holding që zotëronte aksionet e saj, rezulton një firmë e lidhur me investimet infrastrukturore në Verona dhe lidhur ngushtë me kryebashkiakun e saj Flavio Tosi. Firma e kontraktuar për dy By-pass-e në Shqipëri akuzohet se ka tentuar të fshehë borxhin e konsiderueshëm prej 18 milionë eurosh, që i detyrohet nënkontraktuesve shqiptare. Sipas palës mbrojtëse të kompanive shqiptare, 12 nga këto 18 milionë janë vërtetuar nga Gjykata e Tiranës. Skandali ka bërë bujë edhe në mediat e vendit fqinj. Prestigjiozja italiane “Corriere della Sera”
ka pasqyruar ngjarjen me titullin “Borxhi prej 18 milionë eurosh, Serenissima në telashe”, ku thotë se marrëveshja 80 milionë euroshe që parashikonte të shënjonte zhvillimin e Shqipërisë, përfundoi keq për shkak te shkeljeve te kompanisë italiane. Disa ditë më parë Autoriteti Rrugor Shqiptar i hoqi të drejtën e vazhdimit të punimeve për By Passin e Fierit dhe Vlorës kompanisë Serenissima. Në letrën e siguruar nga Televizioni Klan, drejtori i përgjithshëm i ARSH, i shpjegon arsyet e ndërprerjes së kontratës, ku theksohej vonesa e konsiderueshme në afatet e caktuara. Tv Klan