Seria A, Milan kampione e dimrit
Kuqezinjtë me forcë karakteri në çdo ndeshje
Një Milan që vuan, pëson, reziston, këmbëngul dhe prapë ringrihet. Janë këto karakteristikat e skuadrës që këtë sezon pretendon të jetë kampion. E në fakt në fund janë ata që largohen nga fusha me 3 pikët. Pioli ka ndërtuar një grup fenomenal dhe me apo pa prezencën e Zlatan Ibrahimoviç, Milani është një “djall” i vërtetë.
Tifozët kuqezi kanë marrë ndoshta dhuratën më të bukur në këtë prag Krishtlindjesh. Skuadra e zemrës kaloi provimin më të vështirë të këtij sezoni ndaj Lazios, duke e mbyllur vitin 2020 me një ecuri të paharrueshme. U desh një gol në limitet e kohës së rregullt nga Theo Hernandez për të shpërthyer gëzimin e një grupi që tregoi edhe njëherë se është ekipi për t’u mposhtur në Serie A.
Pikërisht një vit më parë, Milani arriti fundin. 5-0 pësuan nga Atalanta në 22 Dhjetor 2019. Humbje që dukej si pika pa kthim për ekipin e Piolit. Por dymbëdhjetë muaj më vonë “djalli” është i pari në renditje me numra mbresëlënës: 19 fitore dhe 7 barazime në kampionat, 79 pikë në të gjithë vitin 2020 dhe me 106 gola njëri më i bukur se tjetri të shënuar në të gjitha garat.
Është ende herët për të folur nëse vërtetë Milani është për titull, por punët e mira bëhen pak nga pak. Deri më tani ka treguar se lojtarët kanë grintë, kanë nerv dhe dëshirë për të sukses. Nëse vijon kështu do të vijë vetëbesimi dhe bindja e rivalëve se Milan do të ndalet vetëm kur të marrë trofeun që mungon prej 9 vitesh.
Tv Klan