Sërish panik në gjimnazin “Janaq Kilica”


Sërish panik në gjimnazin “Janaq Kilica”

15:47 05/03/2020

Drejtoresha e Arsimit: Një nxënëse, shtatzënë. Më pas e mohon

Vajtja e një ambulance edhe mëngjesin e sotëm në gjimnazin “Janaq Kilica” ka alarmuar prindërit e nxënësve të kësaj shkolle. Një ditë më parë, 58 nxënës e 2 mësues u intoksikuan nga një sprajt me lëndë gazi, e hedhur nga 2 nxënës 15-vjeçare, të cilët u proceduan penalisht.

Por sot ambulanca ka shkuar për të marrë një vajzë, që sipas drejtoreshës së Arsimit në Fier, Yllka Beci, ka qenë shtatzënë.

Vetëm pak minuta më pas, Beci e përgënjeshtroi në media deklaratën e saj dhe për nxënësen tha se ishte ndjerë keq pasi kishte patur probleme personale me shëndetin.

Në një reagim zyrtar edhe DAR Fier shkruan se me fjalën “vajzë”, drejtoresha i referohej mësueses shtatzënë dhe jo nxënëses, e cila u shoqërua me autoambulancë në spital. Por në deklaratën para kamerave dëgjohet qartë se ajo flet për një nxënëse shtatzënë.

Ndonëse mëngjesin e sotëm mësimi rinisi normalisht në gjimnazin “Janaq Kilica”, situata ka qenë e tensionuar, për shkak se prindërit dyshojnë që helmimi i fëmijëve të tyre 2 herë brenda 1 jave, të jetë shkaktuar nga gazi lotsjellës, që policia thotë se u hodh nga dy nxënësit e ndaluar.

Tv Klan






Të ngjashme