SHBA, 2.5 miliardë dollarë për virusin
Do të financohet kërkimi për vaksinën dhe blerja e pajisjeve mjekësore
Përhapja e virusit vdekjeprurës në të gjithë botën ka detyruar shumë vende të botës të marrin masa të forta për të mos lejuar sëmundjen e ngjashme me gripin të kthehet në pandemi.
Për këtë arsye kreu i Shtëpisë së Bardhë ka i ka kërkuar Kongresit akordimin e një fondi prej 2.5 miliardë, kundër virusit. 1 miliardë dollarë për të mbështetur kërkimet shkencore për krijimin e vaksinës dhe mbi 1.5 miliardë dollarë të tjera për pajisje mjekësore.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, presidenti amerikan Donald Trump shkroi se epidemia e koronavirusit në SHBA është nën kontroll dhe se qendrat amerikane për parandalimin e sëmundjeve po punojnë shumë për të fituar luftën me virusin.
Ndërkaq autoritetet në Korenë e Jugut po testojnë rreth 200 mijë anëtarë të një kishe ku dyshohet se ka pasur raste me koronavirus.
Në vend numri i të infektuarve është rritur në 977 , nga ku 6 prej tyre ndodhen në gjende kritike për jetën. Deri më tani Koreja e Jugut është dhe vendi me numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus jashtë territorit të Kinës.
Po ashtu mbetet i lartë edhe numri i vdekjeve në Kinë më rreth 2707, ndërsa i të infektuarve po i njëjtë, 78 mijë.
Qeveritë e shumë vendeve u kanë bërë thirrje qytetarëve që të punojnë nga shtëpia për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërkohë që në Hong Kong është vendosur që hapja e shkollave të shtyhet dhe për një muaj.
Një ditë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ngriti alarmin se bota duhet të përgatitet për një pandemi nga koronavirusi.
Sipas asaj që raporton BBC, duke cituar ekspertë të shëndetësisë, rastet në Korenë e Jugut, Iran dhe Itali flasin për një fazë fillestare të saj. Përhapja e virusit në këto vende nuk ka lidhje me Kinën dhe kjo e bën situatën shqetësuese.
Deri më tani ende nuk është bërë e mundur gjetja e kurës për virusin vdekjeprurës. Por një skuadër prej 20 kërkuesish shkencorë po bëhen gati të testojnë një variant të vaksinës ndaj koronavirusit tek kafshët.
Zhvillimi i vaksinave kërkon zakonisht një kohë të gjatë shprehen hulumtuesit, ndërkohë që vetëm procedura e e licencimit dhe daljes në treg kërkon rreth 12 deri 18 muaj.
Klan Plus