SHBA akuzon Maduron për trafik droge, ofron 15 mln $ për arrestimin e tij
Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzojnë Presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro për trafik të lëndëve narkotike dhe ofrojnë 15 milionë Dollarë për çdo informacion që çon në arrestimin e tij.
Akuzat janë bërë të ditura nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, William Barr. Këto akuza janë ngritur edhe për zyrtarë të tjerë të lartë të Venezuelës.
“Populli i Venezuelës meriton një qeveri transparente, të përgjegjshme dhe që t’u shërbejë qytetarëve, dhe jo që të jetë e përfshirë në trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike. Këta persona kanë shkelur besimin e qytetarëve duke ofruar lehtësi për trafikun e narkotikëve nga Venezuela”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë.
SHBA ka akuzuar vazhdimisht Maduron se po qëndron në krye të një regjimi të korruptuar, akuzë të cilën Presidenti venezuelian nuk e ka pranuar asnjëherë.
Uashingtoni mbështet liderin e opozitës Juan Guaido, dhe njeh këtë të fundit si President të Venezuelës. Vitin e kaluar, Guaido e deklaroi veten President të përkohshëm të Venezuelës. /tvklan.al