SHBA dhe talebanët bëjnë paqe pas 18 vitesh luftime
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe talebanët kanë nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes duke i dhënë fund luftimeve në Afganistan pas një konflikti që ka zgjatur 18 vite.
Marrëveshja u nënshkrua në Doha të Katarit, ku i pranishëm ishte Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
NATO dhe aleatët e SHBA kanë rënë dakord që të tërheqin të gjitha trupat brenda 14 muajsh nëse militantët mbështesin këtë marrëveshje.
“SHBA është duke punuar për t’i dhënë fund përfundimisht luftës më të gjatë në historinë e Amerikës dhe për të kthyer trupat tona në shtëpi”, ka deklaruar Presidenti Donald Trump.
Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes me SHBA, do të vijojnë bisedimet mes qeverisë së Afganistanit dhe talebanëve.
Sipas kësaj marrëveshje, talebanët kanë rënë dakord që të mos lejojnë Al-Kaedën apo ndonjë grup tjetër ekstremist që të veprojë në zonat e kontrolluara prej tyre. /tvklan.al