
SHBA harton planin, këta janë avionët që mund të sulmojnë Korenë e Veriut
Sipas një raporti të fundit, Pentagoni ka nisur planin për të sulmuar Korenë e Veriut, shkruan “Business Insider”. SHBA është duke u përgatitur për sulm të mundshëm nëse Presidenti Donald Trump do të urdhërojë goditjen e shtetit komunist.
Sipas planit të Pentagonit, do të përdoren bombardues B-1B të cilët do të nisen nga baza ushtarake e SHBA në ishullin Guam.
Pentagoni synon të përdorë bombarduesit B-1B jo bërthamorë, të cilët do të mbështeten nga satelitët, dronët dhe nga avionë luftarakë.
Ndërsa NBC News raporton se avionët B-1B kanë kryer stërvitje të ngjashme ditën e hënë. Aktualisht, në bazën e ishullit Guam ndodhen 6 bombardues B-1B.
Ndërkohë Koreja e Veriut ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara se do të lëshojë raketa drejt ishullit Guam ku ndodhet baza e SHBA, të cilat do të mbërrijnë në ishull për 14 minuta. Sipas shtetit komunist, po planifikohet që nga mesi i muajit gusht të sulmohet ky ishull.
/tvklan.al