SHBA heq embargon e armëve me Vietnamin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, njoftoi heqjen e plotë të embargos amerikane të armëve me Vietnamin. Gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij vietnamez, presidenti Obama tha se ky vendim shënon heqjen e njollave të mbetura që nga koha e Luftës së Ftohtë.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë hodhi poshtë akuzat se heqja e embargos është një lëvizje strategjike ndaj Kinës, e cila ka ashpërsuar pretendimet e saj territoriale në rajon. Vendimi bazohet në dëshirën tonë të përbashkët për të normalizuar marrëdhëniet, tha Obama.
Barack Obama është presidenti i tretë i SHBA-ve që viziton shtetin komunist që prej përfundimit të luftës mes dy vendeve në 1975. Më parë Vietnamin e kishin vizituar edhe Presidentët Bill Clinton e George W. Bush. Disa miliona vietnamezë dhe rreth 58 mijë ushtarë amerikanë humbën jetën në luftën e Vietnamit.
Presidenti Obama do të vijojë turin e tij aziatik në Japoni, ku do të marrë pjesë në Samitin e G7 dhe do të vizitojë Hiroshimën, vizita e parë e një presidenti amerikan në detyrë në qytetin ku u hodh bomba e parë bërthamore në Luftën e Dytë Botërore.
Tv Klan