SHBA i jep dy grante qeverisë shqiptare në ndihmë të infrastrukturës – (29 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Agjencia e SHBA për Tregtinë dhe Zhvillimin, ka dhënë sot zyrtarisht dy grante të tjera për përmirësimin e porteve dhe rritjen e potencialit ekonomik të Korridorit 8. Dy grantet janë nënshkruar sot nga Ministri i Transporteve Sokol Nako dhe ambasadori amerikan Josef Limpreht. Granti i parë kap shumën 318 mijë dollarë dhe do të përdoret për të financuar fazën e dytë të studimit të fizibilitetit, si dhe për zhvillimin e një mjedisi për kontenierët e mallrave.
Ndërsa granti i dytë është 300 mijë dollarë dhe do të përdoret për prokurimin e pajisjeve që nevojiten për portin e Durrësit dhe të Vlorës. Ky grant çon në 1.4 milion dollarë asistencën që Agjencia e SHBA për Tregtinë dhe Zhvillimin, i ka dhënë Shqipërisë për këtë qëllim.
“Një prej gjërave më të rëndësishme që mund të bëjë një qeveri për të inkurajuar rritjen dhe zhvillimin është investimi në infrastrukturën e vendit”, tha ambasadori amerikan./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego