SHBA kërkon 100 mln doza vaksinash
Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka paraqitur planin e tij që 100 milionë vaksina do të vendosen në dispozicion në 100 ditët e para të presidencës.
Ai tha kjo nuk do t’i japë fund shpërthimit të Covid-19, por u shpreh se vaksinimi i popullatës do të ndryshonte kursin e përhapjes së virusit. Duke prezantuar ekipin e tij shëndetësor, Biden u bëri thirrje amerikanëve që maskat do të jenë të detyrueshme kur ai të marrë detyrën në 20 Janar të vitit tjetër.
Një ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i dytë në botë që miratuan vaksinën e Pfizer/BioNTech. Autorizimi u lëshua nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Eksperti i sëmundjeve infektive të vendit Anthony Fauci u shpreh se vaksinimi masiv mund të fillojë javën e ardhshme.
Presidenti Donald Trump, i cili mori pjesë në një samit në Shtëpinë e Bardhë rreth programit të tij të vaksinimit Covid-19, Operacioni Warp Speed, përshëndeti miratimin vaksinës. Administrata e tij shpreson të vaksinojë deri në 24 milionë njerëz deri në mes të Janarit.
Marrja e 100 milionë vaksinave për amerikanët në pak se tre muaj nuk pritet të jetë e lehtë. Madhësia e madhe gjeografike e SHBA dhe logjistika e përdorimit të një vaksine të re mund të paraqesë sfida.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, SHBA ka numrin më të lartë të vdekshmërisë dhe infektimeve në botë. Mbi 15 milionë raste janë regjistruar deri më tani dhe 285 mijë kanë humbur jetën. Shumë shtete gjatë këtyre javëve të fundit kanë parë një rritje të rasteve, kjo edhe pas festës së Falenderimeve ku amerikanët nuk iu bindën urdhrit të ekspertëve për të mos udhëtuar.
Rregullatorët amerikanë konfirmuan se vaksina Pfizer/BioNTech Covid, që është 95% efektive, ofron siguri tek njerëzit. Megjithëse nevojiten dy doza për të ofruar mbrojtje të plotë. Sipas ekspertëve shëndetësorë efektet e para anësore që mund të sjellë vaksina janë skuqje ose ënjtje në vendin e injeksionit, lodhje afatshkurtër, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore.
Firma Moderna e SHBA ka raportuar suksese të ngjashme me vaksinën e saj dhe pritet të marrë aprovimin e Administratës të Ushqimit dhe Barnave përpara Krishtlindjeve.
Klan Plus