SHBA, kryhet me sukses testimi i sistemit kundër raketave balistike
Agjencia e mbrojtjes raketore në SHBA, ka thënë se ka kryer me sukses testimin e sistemit raketor THAAD, nga Alaska. THAAD është pjesë e sistemit kombëtar të mbrojtjes ndaj raketave balistike.
Objektivi në formën e një rakete balistike me rreze të mesme u lancua mbi Oqeanin Paqësor në veri të Havait. Agjencia njoftoi se sistemi i mbrojtjes kundër raketave balistike THAAD, nga Alaska, ka zbuluar dhe ndaluar objektivin.
Objektivi ishte i ngjashëm me raketat e testuara së fundmi nga Koreja e Veriut. Ky testim është bërë pasi Koreja e Veriut ka deklaruar se më 4 korrik ka bërë testimin e një rakete balistike interkontinentale.
Testimi i raketës ngriti shqetësimet për kërcënimin që vjen nga Penjani.
Sistemi THAAD është i dizajnuar për ndalimin e raketave balistike brenda dhe jashtë atmosferës në fazën e tyre të fundit të fluturimit. /REL