SHBA kundër PD, mbështet qeverinë


SHBA kundër PD, mbështet qeverinë

17:17 08/06/2016

Ambasada e SHBA në Tiranë ka dalë hapur në krah të qeverisë për ta çuar draftin e Reformës në Drejtësi për miratim në parlament. Përmes një deklarate, kjo seli diplomatike, duke shprehur qëndrimin e qeverisë amerikane, pozicionohet qartë kundër Partisë Demokratike, në lidhje me qëndrimin që ajo po mban për ndryshimet kushtetuese, duke shënuar në këtë mënyrë dhe rastin e parë, që një Ambasadë shprehet kaq qartë për këtë çështje.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë”.  

Në deklaratën e saj, Ambasada, ashtu si dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Frederika Mogerini, e cilëson përgjegjësi individuale votën për miratimin e kësaj reforme.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”.

Për SHBA, drafti aktual është përmirësuar ndjeshëm nga ai fillestari dhe për ta ajo përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas e ndërkombëtar, si dhe Komisionit të Venecias.

“Për më shumë se 18 muaj, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, politikanë, shoqëria civile, dhe publiku, janë angazhuar në një debat të rëndësishëm mbi reformën e drejtësisë në Shqipëri. Ky proces shterues e ka përmirësuar draft-paketën e reformës dhe e afroi qeverinë dhe opozitën drejt një marrëveshjeje. 

Kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias”.

Deklarata e SHBA vjen pas investimit të Ambasadorit Lu, por dhe funksionarëve të tjerë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që u angazhuan maksimalisht në negociata, por që përfunduan në një takim të pasuksesshëm mes Kryeministrit Rama dhe kreut të PD -së Basha ditën e hënë, ku nuk u arrit një marrëveshje për ndryshimet kushtetuese.

Tv Klan






Të ngjashme