SHBA mesazh Rusisë: Nuk do të lejojmë copëtimin e Ukrainës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura të mbështesin Ukrainën ndaj rrezikut që vjen nga Rusia. Ishte ky mesazhi i drejtpërdrejtë që dha sekretari Amerikan i Mbrotjes, James Mattis, gjatë vizitës në Kiev, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.
“Nuk duhet të keni asnjë dyshim se SHBA-të janë përkrah Ukrainës. Ne ju mbështesim përball çdo rreziku ndaj sovranitetit tuaj territorial. Ne nuk do të pranojmë pushtimin e Krimesë nga Rusia. Pavarësisht se Moska e mohon këtë, ne e dimë se ata po përpiqen të ndryshojnë me forcë kufijtë e vendeve të pavarura”, tha Mattis.
Vizita e shefit të Pentagonit në Ukrainë konkretizoi firmosjen e marrëveshjes për mbështetje ushtarake të SHBA-ve. 175 milionë dollarë sisteme ushtarake do të dërgohen në Ukrainë.
Uashingtoni ra dakord për armatimin e Ukrainës me pajisje shtesë në vlerën e 175 milionë dollarëve, duke e çuar në 750 milionë dollarë vlerën e mbështetjes ushtarake amerikane ndaj Kievit.
Gjithsesi Mattis nënvizoi se bëhet fjalë vetëm për programe mbrojtëse, duke hedhur poshtë akuzat se kjo është një lëvizje e SHBA-ve për të zgjeruar fuqinë ushtarake në rajon./Tv Klan