SHBA ndihmon Shqipërinë (18 Maj 1999)
Një shans më shumë për Shqipërinë dhe për familjet që kanë strehuar kosovarë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë në plan të ndihmojnë Shqipërinë për të strehuar deri në 1 milion refugjatë. Ky plan përfshin edhe ndihmesën e familjeve shqiptare që kanë strehuar të ardhurit. Administratori i Agjensisë për Zhvillimin Ndërkombëtar të SHBA bën të ditur se do të financojë për riparimin e 4 mijë ndërtesave në Shqipëri që do mund të përdoren për strehim.
Këto dy masa krijojnë mundësinë që shteti të mbajë 1 milion kosovarë refugjatë nga Kosova të cilët kapin shifrën 430 mijë vetë. Sipas administratorit amerikan, duhet përgatitur për më të keqen dhe situata duhet patur në kontroll. Familjet shqiptare që kanë strehuar të ardhurit do të furnizohen rregullisht me pako dhe artikuj të ndryshëm financuar nga SHBA.
UNHCR dhe Agjensia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët do tu japë një pagë mujore këtyre familjeve. Ndërtesat që do riparohen do përdoren edhe për periudhën e dimrit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të mendojnë për mundësinë që refugjatët nuk mund të kthehen në shtëpi këtë vit./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti